Egnatia, Partizani, Vllaznia dhe Skënderbeu kanë siguruar “Final Four” në këtë sezon të parë të aplikimit të kësaj skeme dhe do të luajnë për titullin kampion në modelin e ri që ka paracaktuar FSHF-ja. Por një anomali që nuk është llogaritur nga FSHF, bën të pavlefshme një ndeshje nga ato 4 që janë planifikuar. Kualifikimi i Skënderbeut në katërshe dhe pamundësia e korçarëve për të shkuar në Europë për shkak të dënimit që kanë nga UEFA, bën që tre ekipet e tjera të kenë të siguruar automatikisht pjesëmarrjen në turnetë europianë pavarësisht klasifikimit që do të mbartin në fund të këtij mini-aktiviteti.
Kësisoj, ndeshja e planifikuar për të ndarë potencialisht se kush do të shkonte në Europë, mes humbëseve të gjysmëfinaleve, është bërë automatikisht e pavlefshme, pasi nuk ka asnjë lloj rëndësie, sido që të jetë. Ajo do të përcaktojë vetëm renditjen përfundimtare të “Final Four” dhe të shërbejë për pak para që do të ndahen nga biletat, por pa vlerë sportive për ekipet pjesëmarrëse, cilado qofshin ato.
sfidanti.al