Franca “e plagosur rëndë”, por shumë e qeshur në prag të Shqipërisë!

Shqetësimi ishte që ditën kur nisi grumbullimi. Trajneri Didie Deshamp i kishte marrë lajmet që Franca e tij nuk mund të luante ndaj Shqipërisë me potencialin e saj të plotë. Kilian Mbape i Paris SG, u dëmtua i pari, dhe pas tij edhe mbrojtësi i Mançester Sitit, Ajmerik Laporte. Mungesë në apel edhe për sulmuesin e Barcelonës, Dembele, ndërsa në dyshim është sulmuesi i Mançester Junajtidit, Antoni Marsial. Lajmet e këqija i përmbylli ai i lëndimit në stërvitje të Pol Pogbasë, yllit tjetër të Mançester Junajtidit.

Gjithsesi, atmosfera në kampin e kampionëve të botës në Klerfonten ishte dhe mbetet e shkëlqyer, me lojtarët që bëjnë edhe seancë me foto vetjake. Natyrisht, yjet nuk mungojnë, që nga portierët Joris e Areola, mbrojtësit Pavar, Lengle, Varan, Lukas Hernandez apo Ymtiti, mesfushorët Kante, Matyidi, Dombele apo Toliso, si dhe sulmuesit Grizman, Zhiru apo Lakazetë. Futbollistë të mëdhenj që luajnë për PSG-në, Realin, Bajernin, Barcelonën, Çelsin, Juventusin apo Arsenalin.

Sidoqoftë, Deshampi e di se nuk do të jetë e lehtë për Francën e tij, qoftë edhe ndaj një rivali modest në letër si Shqipëria, diçka që trajneri i “gjelave” e theksoi edhe në konferencën e tij për shtyp. Pozitiv për francezët do të jetë fakti se stadiumi “Stad dë Frans”, do të jetë thuajse i mbushur për sfidën e së shtunës, pasi janë shitur 70 000 bileta nga 80 000 gjithsej.

Sfidanti.al