Shpresat kuqezi do të ndeshen të premten e 5 shtatorit në “Elbasan Arena” përballë Gjermanisë ndërsa tre ditë më vonë do të udhëtojnë drejt Araut ku do të sfidojnë Zvicrën. Të dy rivalet janë të një niveli të lartë dhe pritet që të jenë një tregues i qartë për formën që gëzojnë të besuarit e Alban Bushit.
Mbi këto dy ndeshje mesfushori i talentuar, Feta Fetai, tha se kuqezinjtë kanë përpara dy rivale shumë të forta, por nga ana tjetër ai i vlerëson si një test i mirë në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian U-21 2027. Fetai foli gjithashtu edhe për gjendjen e skuadrës dhe ftoi tifozët në stadiumin “Elbasan Arena” për të mbështetur kuqezinjtë.
“Kemi dy ndeshje shumë të mira dhe të forta për të treguar veten edhe për Europianin U-21 2027. Janë teste shumë të mira për ne, për ekipin dhe për të gjithë lojtarët”, tha Fetai.
Kur u pyet më në detaj për gjendjen e ekipit, Fetai u shpreh se: “Kanë ardhur të gjithë. Kanë pasur ndeshje, po rikuperohemi dhe po përgatitemi për ndeshjen me Gjermaninë, pastaj për Zvicrën. Lojtarët janë të gjithë në formë. Janë përgatitur, kanë edhe minuta në këmbë. Shpresoj që të japim më të mirën në këto dy ndeshje”. Në fund Fetai u bëri apel tifozëve të cilët sipas tij duhet që të jenë të shumtë në numër në “Elbasan Arena”.
sfidanti.al