Euro 2020, viktima e parë e virusit, shtyhet një vit “me shpresë të Zotit”!

Një turne i madh i futbollit u bë më në fund viktimë e koronavirusit. UEFA vendosi shtyrjen e Kampionatit Europian të futbollit, që ishte planifikuar të luhej këtë verë, dhe që tani do të duhet të zhvillohet në periudhën 11 qershor-11 korrik 2021. Ky vendim doli në përfundim të një telekonference që UEFA e zhvilloi me 55 federatat e saj anëtare nëpër Europë, mes të cilave edhe me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Shtyrja e Europianit u bë me qëllim që të krijohet koha e nevojshme për përfundimin e ligave kombëtare në secilin vend, dhe po ashtu të garave për klubet, si Championsi dhe Liga e Europës. UEFA vendosi që sezoni i klubeve të përfundojë deri në 30 qershor të këtij viti, ndonëse këto plane do të testohen nga ecuria e epidemisë së koronavirusit në kontinentin tonë.

Në telekonferencë u kërkua ngushtim të hapësirave mes javëve, në mënyrë që të mund të përdoren nga ligat kombëtare dhe UEFA.

Si rrjedhojë e kësaj, ndeshjet ndërkombëtare të marsit shtyhen për në qershor. Po ashtu, ndryshon koha e zhvillimit të ndeshjeve të kualifikimit europian, që ishin përcaktuar në qershor 2020. Ndryshojnë gjithashtu datat e kompeticioneve të tjera të planifikuara në qershor-korrik, Euro U21, Europiani i femrave apo të tjera. Lojtarët do të lejohet të shkojnë në kombëtare sipas dative të reja.

Mbetet të gjendet një zgjidhje e përbashkët dhe adaptim i mundshëm për kualifikueset e garave të UEFA-s për klubet për sezonin 2020-2021 pas përfundimit të ligave dhe sezonit europian në 30 qershor. Në telekonferencë, mori pjesë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, që gjithashtu është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.UEFA ngriti një grup pune të posaçëm për të rakorduar kalendarët e rinj. Sezoni mbetet ende në rrezik për shkak të virusit, ndërsa pasojat mund të jenë humbje të mëdha financiare dhe mijëra vende pune.

Sfidanti.al