Etrit Berisha, mbrëmje magjike me Atalantën, barazojnë rivalët e Skënderbeut!

Nuk ka fitues në sfidën tjetër të grupit tonë. Rivalët e Skënderbeut, Jang Bojs e Partizan Beograd e mbyllën në barazim ndeshjen e luajtur në Zvicër për Ligën e Europës. Vendasit, që kishin eleminuar Dinamon e Kievit në turet eleminatore në Champions, nuk mundën të thyenin kampionen e Serbisë në stadiumin e tyre në Bernë, madje rrezikuan të humbisnin. Përfundoi 1-1 me golat e shënuar fillimisht nga miqtë me anë të Marko Jankoviçit dhe pastaj nga zviceranët, me autor Kristian Fasnaht, që të dy në pak minuta në pjesën e parë.

Një shqiptar doli fitues në përballjet e para të këtij kompeticioni, Etrit Berisha. Atalanta e tij bëri një figurë shumë të madhe në rikthimin në Europë pas 26 vjetësh, madje ndaj një rivali shumë të fortë. Evertoni I fuqishëm anglez u mposht 0-3 në stadiumin e Bergamos, dhe fati I takimit, së bashku me rezultatin, u vendosën që në 45 minutat e para. Andrea Mazielo, Alehandro Gomez dhe Brajan Kristante konkretizuan epërsinë dhe zgjuarsinë taktike të italianëve, që nuk e patën problem mungesën e përvojës.

Sukses I thellë dhe I lehtë edhe për ekipin tjetër italian, Milanin. Gjigandët e kontinentit lanë pas humbjen e rëndë ndaj Lacios në Serinë A, për të triumfuar 5-1 në stadiumin “Ernst Hapel” të Vjenës ndaj Austrisë vendase. Hakan Çalhanoglu, Andre Silva, sërish Andre Silva shënuan në pjesën e parë.

Aleksandar Borkoviç shkurtoi diferencën për austriakët, për të cilët vuajtjet nuk kishin përfunduar ende. Sërish Andre Silva dhe pastaj Suso shënuan deri në minutën e 63-të dhe më tej trajneri Montela e udhëzoi ekipin e tij të kursente forcat për ndeshjet e fundjavës në kampionatin italian.

Shumë të fortë edhe ekipet e Spanjës. I tillë shembulli I Vijarrealit që mundi Astanën e Kazakistanit në fushën e vet. Iberikët ia dolën 3-1, edhe pse u desh të prisnin deri pjesën e dytë. Golit të Sansones iu përgjigj Logvinenko për kazakët, ndërsa në minutat 75 e 77, për Vijarrealin realizuan Bakambu dhe Çerishev.

Në ndeshjet e tjera, Lacio fitoi në Holandë ndaj Viteshes 3-2, përballja Herta Berlin-Atletik Bilbao përfundoi 0-0, Sociedadi spanjoll mposhti 4-0 Rozenborgun, ndërsa debutuesi Vardar I Shkupit u shkatërrua në shtëpi me shifrat 0-5 nga Zeniti I Shën Peterburgut.

Sfidanti.al