Erzeni, anomalia e futbollit të Superiores

Fitorja e Erzenit ndaj Tiranës “thyen” çdo ligj të shkencës edhe pse jo ekzakte të futbollit. Për të dytin sezon rresht, skuadra shijakase e nis sezinin në mënyrë fantastike. Pas fitores me Tiranën, modestët e Erzenit, këtë herë nën drejtimin e Deliallisit, si për habi të të gjithëve janë katapultuar në vendin e dytë me 8 pikë. Një tablo që rrëzon çdo logjikë që bazohet në strategjinë e qartë, planifikimin dhe investimet që sipas shkencës së futbollit, shpesh herë sjell edhe rezultate. Në Superioren tonë anormale diçka nuk shkon në këtë logjikë sepse shijakasit, ndryshe nga një klub normal kanë vepruar në mënyrë identike me sezonin e kaluar.

E ndërtuan skuadrën shumë vonë, vetëm në orët e fundit të merkatos ndërsa nuk kishin të sigurt as një stadium ku të luanin ndeshjet si pritës. Pak javë më parë situata ishte pothuajse e turbullt pa një president të qartë dhe një klub me struktura të ngritura që ta mbështeste. Gjithsesi, strategjia dhe planifikimi duket se nuk pijnë ujë në ligjësinë e futbollit shqiptar ku për të dytin sezon rresht Erzeni po bën shumë mirë, të paktën në këto javë të para. Shenjë e qartë se në të tilla raste mjafton edhe vetëm pasioni dhe Erzeni të tillë ka me shumicë.

sfidanti.al