Erling Haaland dominon Europën

Kanë përfunduar ndeshjet kualifikuese europiane për Kupën e Botës 2026, duke zbuluar tashmë 16 përfaqësueset që do të marrin pjesë në turneun madhor që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.

Një nga historitë më të bukura të këtyre eliminatoreve ishte rikthimi i Norvegjisë në një Botëror pas plot 28 vitesh mungesë. Përfaqësuesja nordike siguroi vendin e parë në Grupin I, duke u mbështetur fuqishëm te forma e jashtëzakonshme e yllit të saj kryesor, Erling Haaland.

Sulmuesi norvegjez ishte protagonisti absolut i kësaj fushate, duke realizuar plot 16 gola në vetëm 8 ndeshje, një statistikë mbresëlënëse që e shpalli atë golashënuesin më të mirë të kualifikueseve europiane. Pas tij renditen tre emra të njohur të futbollit ndërkombëtar: Marko Arnautović, Memphis Depay dhe Harry Kane, të cilët e mbyllën fushatën me nga 8 gola secili.

Performanca e Haaland konfirmon edhe një herë statusin e tij si një nga sulmuesit më të frikshëm në botë, ndërsa Norvegjia do të shpresojë që ai të vazhdojë në të njëjtin ritëm edhe në skenën e madhe të Botërorit.

sfidanti.al