Klubi rrogozhinas ka tashmë një politikë të qartë për të ecur përpara. Ka një objektiv të dyfishtë që Egnatia kërkon ta arrijë paralelisht dhe sezonin e fundit ia arriti qëllimit. Kjo skuadër fitoi titullin e parë kampion në historinë e klubit, por edhe Kupën e Shqipërisë, duke regjistruar kështu sezonin më të suksesshëm. Por jo vetëm kaq, Egnatia bëri shumë i mirë edhe në tregun e futbollistëve dhe konkretisht në shitjen e disa elementëve që sollën të ardhura të konsiderueshme në arkat e klubit. Sipas faqes së specializuar “Transfermarkt”, për sezonin 2024-2025, që llogaritet që para ndeshjeve europiane, Egnatia është skuadra e Superiores që ka përfituar më shumë nga shitja e lojtarëve. Kujtojmë që rrogozhinasit shitën Melih Ibrahimoglu për shumën e 350 mijë eurove, gjithmonë duke iu referuar kësaj faqeje, dhe portierin Alen Sherri për 300 mijë euro. Në total 650 mijë euro, më mirë se 9 skuadrat e tjera të elitës. Më pas vjen Partizani me 500 mijë euro, që janë përfituar nga shitja e Maget në Spanjë. Në vend të tretë është Skënderbeu me 450 mijë euro të përfituara nga shitjet e fundit, për të vazhduar me Laçin 350 mijë euro, Teutën 120 mijë euro, Vllazninë dhe Bylisin me nga 100 mijë euro dhe Dinamon 60 mijë euro. Dy klubet e vetme që nuk kanë përfituar asgjë këtë verë nga shitja e lojtarëve janë Tirana dhe Elbasani.
Kampionët në fuqi janë model në fakt në këtë drejtim, sepse jo vetëm këtë verë, por edhe më parë janë dalluar për shitjen e lojtarëve. Edhe në merkaton e dimrit ata shitën sulmuesit Paulauskas dhe Isgandarli, ndërsa një vit më parë shitën brazilianin Xhekson. Edhe pse kryen shpesh lëvizje në dalje, Egnatia sërish ia ka dalë të ketë një skuadër kompetitive, që po bën diferencën në futbollin shqiptar. Të gjithë ata që vijnë në skuadër, e ngrenë nivelin dhe bëhen gati për një Kampionat Europian
sfidanti.al