Egnatia nuk ka rivalë në këtë Superiore

Në një javë që Tirana, Partizani dhe Vllaznia u ndalën, Egnatia zgjati hapin në krye të klasifikimit dhe tashmë është në + 10 nga të kuqtë. Ndoshta për shkak të formulës, ndjekësit po tolerojnë disi por tashmë është e sigurt që skuadra rrogozhinase është kandidate pa rivalë për vendin e parë dhe në finalen katërshe të majit mund të niset si rivale përballë kundërshtarëve. Ekipi i Edlir Tetovës përmbysi Erzenin dhe fiton me rezultatin 3-2 një sfidë shumë të bukur që është zhvilluar në Rrogozhinë. Shijakasit mbyllin pjesën e parë në avantazh, falë golit të shënuar nga Marzouk që në minutat e para të takimit. Pjesa e dytë dhuroi spektakël dhe plot 4 gola. Egnatia barazoi me Spahiun, por Erzeni shënon sërish me Zekën. Rrogozhinasit reagojnë me dy blerjet e janarit, që bëhen protagonistë. Vendasit  barazuan menjëherë me Montenegron, ndërsa Ibrahimoglu shënon golin e përmbysjes së madhe. Egnatia merr fitoren e tretë radhazi në kampionat në vitin 2024 dhe ngjitet në kuotën e 46 pikëve, duke çuar në 10 pikë diferencën me Partizanin e vendit të dytë. Erzeni mbetet në kuotën e 22 pikëve në klasifikim.

sfidanti.al