Egnatia nuk është si e vjetshmja, por pavarësisht luhatjeve deri më tani ka arritur të ruajë vendin e vet në katërshen e renditjes, që të çon në “Final 4”. Ndryshimet e mëdha në merkaton e verës kanë pasur ndikimin e vet, por rrogozhinasit i kanë dhënë provat sa i përket merkatos se mund të bëjnë lëvizje, që kanë aftësinë ta shndërrojnë ekipin në një “bishë”. Këtë premtoi edhe vetë presidenti Demrozi as fitimit të Superkupës, duke premtuar afrime të mëdha dhe investime në merkato. Fakti është se edhe sa i përket emrave që qarkullojnë, rrogozhinasit po tentojnë të bëjnë një merkato të një tjetër standardi, krahasuar me ekipet e tjera të Superiores. Rrogozhinasit presin rikthimin e Fernandos, lider i ekipit deri në verën e shkuar, teksa në ditët në vijim pritet të zbardhen edhe emra të tjerë futbollistësh me “CV” të pasur, me të cilët ata janë në negociata. Faza ofensive është edhe ajo ku ekipi ka mësë shumti nevojë për përforcime. Bakajoko ka treguar mangësi në disa momente, teksa krahët e sulmit kanë pasur mjaft probleme. Më së shumti tregu i afrimeve është përqendruar jashtë kufijve tanë, ndikuar edhe nga fakti se pas janarit do të lejohen shtatë lojtarë të huaj njëherazi në fushë. Egnatia është e përqendruar për të bërë lëvizjet e duhura që do të ndihmojnë Tetovën të rikthejë ekipin dominues të sezonit të shkuar. Në verë ekipit iu bashkua Veseli, Kasa, Lushkja apo Ujka, lojtarë që në Superiore janë të një niveli të lartë.
sfidanti.al