“Thatësirë” golash në dy sfidat e pasdites të kampionatit Abissnet Superiore. Mbyllet në barazim të bardhë 0-0 sfida në Rrogozhinë mes Egnatias dhe Dinamos, takim që u transmetua drejtpërdrejt në RTSH Sport. Në barazim pa gola 0-0 është mbyllur edhe sfida Tirana-Teuta, që u transmetua në RTSH 2.
Një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës së 7-të të kampionatit, luhej në Rrogozhinë, aty ku u përballën Egnatia dhe Dinamo. Pavarësisht përpjekjeve nga të dy kampet, si rrogozhinasit edhe blutë nuk arrijnë që të gjejnë rrugën e rrjetës. Dy skuadrat detyrohen të ndajnë nga një pikë. Egnatia ngjitet në kuotën e 11 pikëve, ndërsa Dinamo 11 pikë.
Teuta vazhdon të jetë skuadra e vetme e Abissnet Superiores, që nuk njeh humbje këtë sezon. Durrsakët kanë arritur të ndalin Tiranën në “Air Albania” në një barazim të bardhë 0-0. Ndeshja ka qenë e bukur me të dyja skuadrat që kanë pasur rastet e tyre për shënim, por pa arritur që të dërgojnë topin në rrjetë. Pas këtij barazimi Tirana ngjitet në kuotën e 6 pikëve në klasifikim, ndërsa Teuta në kuotën e 11 pikëve.
Nesër luhen dy sfidat e fundit të javës së 7-të të kampionatit, që do të transmetohen drejtpërdrejt në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
sfidanti.al