Egnatia duket që ka një rënie në javët e fundit dhe mjafton që ndonjëherë të shohësh vetëm rezultatet për të dalë në këtë konkluzion. Me nisjen e vitit 2025, kampionët në fuqi të Superiores deri para pesë javësh njihnin vetëm fitore, duke dhënë idenë se ekipi i drejtuar nga Edlir Tetova ishte si një makineri që funksiononte në mënyrë perfekte. Mirëpo, javët e fundit duket se ka humbur shkëlqimin e saj, ndonëse vijon të ruajë me fanatizëm vendin e parë që mban në klasifikim. Ne pesë ndeshjet e fundit, rrogozhinasit kanë fituar vetëm një herë, ku mundën Dinamon në shtëpi, ndërsa kanë sigluar një humbje dhe tre barazime.
Pra, shumë larg asaj nisjeje të vitit. Një fakt ky që ka sjellë shqetësim për vazhdimësinë, sepse tani kemi hyrë në fazën kulminante të kampionatit dhe çdo gabim mund të ndikojë jo pak në arritjen e objektivave. Dihet që rrogozhinasit duan të hyjnë në “Final 4” si vendi i parë, çka në fund i jep mundësinë të fitojnë edhe 100 milionë lekët si shpërblim nga federata. Për të sheshuar ndoshta çdo dyshim rreth forcës së Egnatias është pikërisht ndeshja e radhës që mund ta tregojë këtë. Kampionët do të presin në shtëpi skuadrën e Vllaznisë, kundërshtarin direkt që i rrezikon vendin e parë. Një fitore ndaj tyre do të qetësonte ujërat dhe në njëfarë mënyre do t’i jepte fund edhe asaj mini – krize të javëve të fundit në kampin bardhëjeshil.
Siç dihet, ndaj shkodranëve do të kenë në fushë një ekip të përgjysmuar me potencialisht gjashtë mungesa, tre për arsye dëmtimesh dhe tre për shkak të kartonëve. Kjo gjë e vështirëson paksa situatën, por gjithsesi në Rrogozhinë kanë besim se përpos situatës së vështirë me mungesat, në fushë do ia dalin që të marrin fitoren dhe konsolidojnë pozitat në kreun e renditjes.
sfidanti.al