Historike, për herë të parë një skuadër që përfaqëson një qytet jo qëndër qarku, triumfon në elitën e futbollit shqiptar. Egnatia thyen Partizanin në finalen e madhe të sezonit dhe kompleton një sezon ëndrrash që e mbylli në vendin e parë. Mjaftoi goli i Melih Ibrahimoglu në pjesën e parë për të adresuar sfidën që u dominua më pas nga skuadra e Orges Shehit, i cili nuk arrin të fitojë një titull tjetër pas atij me Tiranën. Ndeshje që skuadra e Edlir Tetovës e menaxhoi mjaft mirë ndërsa në fund Skuka shpërdoroi një mundësi të artë për të prishur festën e rrogozhinasve që pas Kupës, fitojnë edhe kampionatin dhe tashmë konfirmohen kampionë edhe me “ligj” pasi dominuan në sezonin e rregullt. Në minutën e 22’ Bintsouka pati mundësinë për të zhbllokuar ndeshjen dhe për të kaluar Partizanin në avantazh duke gjetur rrugën drejt rrjetës, por Taylor sinjalizoi që nuk kishte gol për shkak të prekjes së topit me dorë nga Sembene. Atë që nuk e bënë kryeqytetasit e realizuan më së miri rrogozhinasit, me Ibrahimoglu që shënoi pas asistit të dhuruar nga Spahiu në minutën e 35’, duke zhbllokuar ndeshjen dhe duke i dhënë avantazhin, por njëkohësisht edhe fitoren skuadrës së nga qyteti modest në zemër të Shqipërisë. Egnatia triumfoi edhe mbi polemikat që shoqëruan Superioren e këtij sezoni për shkak të formulës së paprecedentë që zeroi pikët e katër skuadrave të para ndërsa ky është një triumf që i dedikohet edhe Rafael Dwamena, kampionit që humbi jetën në fushën e lojës, pikërisht në ndeshjen kundër Partizanit. Skuadra rrogozhinase diktoi ritmin gjatë gjithë sezonit, duke kryesuar renditjen me 63 pikë, Partizani nga ana tjetër nuk ia doli të mbronte titullin dhe të barazonte Dinamon me 18 tituj kampion. Kështu Egnatia do të përfaqësojë Shqipërinë në Champions League, teksa Partizani i vendit të dytë do të shkojë në Conference League.