Skuadra e Egnatias është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të kenë të enjten në mbrëmje me skuadrën e Vllaznisë. Një përballje që në kampin rrogozhinas është vlerësuar maksimalisht, pasi duan të heqin nga gara një rival direkt për vendin e parë. Duket se në prag të kësaj sfide ka lajme të mira nga infermieria e kampionëve, ku pas Albano Aleksit që është bashkuar me grupin, të njëjtën gjë ka bërë edhe mbrojtësi Edison Ndreca. Duket se kjo dyshe që i ka munguar Tetovës për shumë javë, do të jetë e gatshme këtë të enjte, pavarësisht nëse do të provohen nga minuta e parë apo jo në fushën e lojës. Bëhet fjalë për dy nga titullarët e padiskutueshëm të këtij sezoni dhe mund të konsiderohen një armë plus pikërisht në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Përveç vendit të parë dhe ecurisë së këtij sezoni, Egnatia mund të krenohet edhe me lojtarët që ka hedhur në fushën e lojës. Vazhdimisht tekniku Edlir Tetova e ka përmendur se është munduar që t’i japë gjithë secilit “hakun” duke i dhënë minuta në fushën e lojës. Në fakt, ashtu është, sepse në Rrogozhinë të gjithë kanë pasur mundësinë të luajnë dhe të japin kontributin e tyre për kampionët dhe rrjedhimisht të tregojnë edhe aftësitë e tyre. I vetmi që nuk e ka provuar fushën e blertë është portieri Klajdi Kuka. Këtë sezon ka qenë numri “dy” i portës bardhëjeshile, fillimisht i Dobjanit dhe më pas Dajsinanit, ndaj nuk e ka pasur asnjëherë shansin për të dhënë kontributin e tij në fushë. Megjithatë, kur kanë mbetur ende edhe pak ndeshje deri në mbyllje të sezonit, ndoshta Tetova ka menduar për t’i dhënë shansin edhe gardianit, duke hedhur kështu në fushë në masën 100% të gjithë ekipit që ka pasur në dispozicion përgjatë këtij sezoni.
sfidanti.al