Egnatia 9 ndeshje pa humbur por vendi i parë vlen pak

Vendi i parë nuk i ka prodhuar aspak presion, pasi Egnatia vijon të udhëheqë e sigurt prej 11 javësh në këtë edicion futbollistik në Superiore. Një skuadër më e pjekur, që nuk ndikohet edhe kur pëson, madje as ndarja nga jeta e Dwamena dhe goditja pskologjike prej tij nuk kanë zbehur performancën e rrogozhinasve. Edhe njëherë tjetër të besuarit e Edlir Tetovës treguan karakter, duke mos u dorëzuar deri sekondat e fundit, ashtu siç ndodhi ndaj Teutës, në barazim 2-2 në Durrës. Egnatia nuk njeh humbje prej 9 ndeshjesh dhe jo më kot është skuadra që kryeson, me sulmin më të mirë, me 31 gola të realizuar, të shpërndarë në 9 futbollistë të ndryshëm, me një mesatare shënimi si skuadër prej dy golash për ndeshje. Egnatia tregoi edhe ndaj Teutës se di të përmbysë, ashtu siç ndodhi ndaj Tiranës dhe Kukësit. Dhe si rrallëherë në futbollin shqiptar, Egnatia është ekip më pak produktiv në shtëpi dhe skuadra që grumbullon më shumë pikë në transfertë. E vetmja pikë e dobët e rrogozhinasve janë goditjet standarte, teksa kanë pësuar 6 gola. Gjithsesi, Egnatia marshon e qetë dhe në Rrogozhinë janë të mërzitur që titulli do të dalë me “Final 4”, pasi mund ta kishin fituar gjatë sezonit të rregullt.

sfidanti.al