Pas largimit të bujshëm nga Liverpool-i verën e kaluar, Jürgen Klopp zgjodhi të merrte një periudhë pushimi, duke refuzuar çdo ofertë për të rimarrë drejtimin e ndonjë skuadre. Megjithatë, në janar të këtij viti, tekniku gjerman pranoi një sfidë të re: atë të Drejtorit Global të Futbollit në kompaninë Red Bull, një pozicion me ndikim të madh, por që duket se nuk e ka kënaqur plotësisht. Sipas mediumit brazilian UOL, Klopp është i zhgënjyer dhe i lodhur nga ky rol, të cilin e ka cilësuar si shterues, dhe ka sinjalizuar në rrethin e tij të ngushtë se është i gatshëm ta braktisë, nëse e thërret Kombëtarja e Brazilit ose Real Madridi.
Aktualisht, përfaqësuesja braziliane ndodhet pa trajner, pas shkarkimit të Dorival Júnior në fund të muajit të kaluar. Edhe pse emri i Carlo Ancelotti-t u përmend si pasues i mundshëm, italiani ka një kontratë me Realin deri në vitin 2026.
Real Madridi është alternativa tjetër që Klopp ka në mendje, por, për momentin, nuk ka asnjë kontakt zyrtar me klubin spanjoll. Gjithçka do të varet nga fundi i sezonit për Ancelotti-n dhe rezultatet që do të sjellë ai në Madrid. Klopp nuk do të merrte në konsideratë largimin nga Red Bull nëse nuk bëhet fjalë për një projekt të madh, si këto dy.
Aktualisht, ai përfiton rreth 12 milionë euro në vit nga Red Bull-i dhe detyrat e tij përfshijnë përfaqësimin global të markës dhe promovimin e më shumë se 800 sportistëve që janë pjesë e familjes Red Bull në botën e sportit.
Megjithatë, larg pankinës dhe fushës së lojës, Klopp duket se nuk po gjen vetveten. Dhe për një trajner që jeton për emocionin e ndeshjeve, që ka dhënë gjithçka në çdo stol që ka prekur, nuk është çudi që rruga ta çojë sërish në vendin që e do më shumë: futbolli i vërtetë.
sfidanti.al