Armando Broja dikur shihej si një nga talentët më premtues të Chelsea-t, në prag të shpërthimit në formacionin titullar. Por siç ndodh shpesh në futboll, dëmtimet e shumta i kanë ndalur hovin dhe, si pasojë, ai është “varrosur” nën një ortek transferimesh e huazimesh që s’kanë prodhuar vazhdimësi. Huazimi i tij tek Evertoni këtë sezon ka ndjekur të njëjtin rrugëtim si shumë prej lëvizjeve të mëparshme: momente shkëlqimi të rralla, të ndërprera nga mungesa të gjata për shkak dëmtimesh. Ndeshja e fundjavës së kaluar, ku Broja u aktivizua si titullar për herë të parë që nga janari dhe ndihmoi skuadrën në fitoren 1-0, ofroi disa shenja të potencialit të tij, sipas ‘The Athletic’. Megjithatë, me vetëm 270 minuta të luajtura këtë sezon në Premier League dhe pa asnjë gol apo asist, është vështirë të imagjinohet që Evertoni do të dëshirojë ta mbajë përtej këtij sezoni.
E ardhmja e Brojës? Ende është e paqartë. Raportimet tregojnë se David Moyes, trajneri i West Ham-it, është i impresionuar nga disa paraqitje të tij dhe kujtohet se në vitin 2022 ka tentuar ta transferojë sulmuesin shqiptar. Kështu, muaji e gjysmë i mbetur i sezonit do të jetë një “audicion” jetik për të, jo vetëm për një qëndrim të mundshëm tek Evertoni, por për çdo klub tjetër që mund të shfaqë interes.
Opsioni i blerjes prej 30 milionë stërlinash që Everton ka në marrëveshjen e huazimit konsiderohet si “i parealizueshëm”. Madje, është e vështirë të mendohet që ndonjë skuadër do të ofrojë edhe gjysmën e kësaj shume, për aq kohë sa Broja nuk dëshmon se mund të qëndrojë i shëndetshëm dhe i gatshëm për të kontribuar vazhdimisht.
Megjithatë, burime pranë Chelsea-t pretendojnë se ka “interes të konsiderueshëm” për Brojën, thjesht sepse në treg ka gjithmonë kërkesë për sulmues dhe për këtë arsye klubi nuk ka ndërmend ta shesë lirë.
Në realitet, zgjidhja më e arsyeshme për të gjitha palët mund të jetë edhe një vit tjetër huazim, me shpresën që Broja më në fund të kalojë një sezon pa dëmtime dhe të bindë ndonjë klub për një transferim të përhershëm.
Karriera e Armando Brojës është në një udhëkryq delikat, por jo pa shpresë. Me talentin që ka, nëse arrin të qëndrojë i shëndetshëm, fati i tij mund të ndryshojë shpejt.
sfidanti.al