Mediumet në Angli bëjnë pyetjen, nëse trajneri i Celsit, Antonio Konte, nxori në fushë, me paramendim, një ekip të dobët kundër Barnlit, me qëllim që të ushtronte presion mbi kryesinë e klubit që ky i fundit të bënte edhe disa blerje të tjera, pasi “blutë” e Londrës humbën papritur, 2-3, ndeshjen e parë të Premier Ligës angleze, në fushën e vet në “Stemford Brixh”.
Mbas ndeshjes, mediumet ishullorë hodhën dyshimin, nëse strategu italian kishte nxjerrrë në fushë, qëllimisht, një formacion më të dobët sesa zakonisht, që t’i dërgonte një mesash kryesisë së klubit të vet, pasi ai, në disa raste, i ka kërkuar asaj që ajo të bëjë edhe disa blerje të tjera të rëndësishme. Në formacionin e parë, që në fillim të ndeshjes, u gjend papritur Boga i ri, ndërkohë që në stolin e rezervave pati vend edhe për Sharli Musondën, Kajl Skotin, Fikajo Tomorin dhe Kenedin që, më parë, ishin larg këtij stoli.
“Përse më pyesni mua? Nuk jeni të kënaqur nga formacioni i parë?”, u përgjigj Konte pyetjes së mos ky formacion i Celsit kishte të bënte me pakënaqësinë e tij ndaj kryesisë së klubit, duke vazhduar më tej: “Ky është formacioni i lojtarëve që, momentalisht, ndodhen në formën më të mirë”,
Sfidanti.al