Rey Manaj ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e tij të dytë me Sivasspor, duke qenë protagonist absolut në barazimin dramatik 3-3 ndaj Vanspor FK. Sulmuesi shqiptar realizoi dy gola, duke treguar instinkt të pastër para portës dhe qetësi në momentet vendimtare. Njëri prej tyre erdhi nga një goditje dënimi e ekzekutuar në mënyrë perfekte, që la pa shans portierin kundërshtar dhe ngriti në këmbë tifozët.
Këto ishin golat e parë për 28-vjeçarin pas rikthimit në Turqi, pasi së fundmi ishte pjesë e Al Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe. Rikthimi duket se i ka bërë mirë Manajt, i cili shfaqi formë optimale dhe uri për gol. Pavarësisht se ndeshja përfundoi në barazim, performanca e tij ishte sinjali më pozitiv për skuadrën.
Nëse vazhdon me këtë ritëm, Manaj pritet të jetë një nga armët kryesore të Sivassporit në pjesën e mbetur të sezonit.Rikthim me firmë kampioni – dhe mesazh i qartë për kritikët!

