Divorc me gjyq mes Juves dhe Allegrit

Juventus dhe Massimiliano Allegri do të ndahen me gjyq. Trajneri nga Livorno u shkarkua nga klubi bardhezi fill pas triumfit në finalen e Kupës së Italisë ndaj Atalantës, ku edhe shpërtheu duke bërë reagime të papërshtatshme ndaj drejtuesve të skuadrës, arbitrave dhe njerëzve të medias. Allegri kërkoi 14 milionë euro për të zgjidhur kontratën e vlefshme deri në verën e 2025-ës, megjithatë klubi bardhezi refuzoi dhe i dërgoi letrën e shkarkimit për “shkaqe të justifikuara” dhe e lidh pikërisht me sjelljen e pahijshme të trajnerit pas finales. Me këtë komunikim zyrtar, tashmë nuk mbetet asnjë zgjidhje tjetër për Allegrin, që t’i drejtohet gjykatës për të marrë dëmshpërblimin për vitin e fundit të kontratës, gjithmonë nëse do të arrijë të fitojë betejën ligjore me bardhezinjtë. Natyrisht një fund aspak i lumtur mes trajnerit dhe klubit bardhezi, duke qenë se Allegri ka drejtuar Juventusin në dy periudha të ndryshme për një total prej 8 sezonesh dhe ka fituar tituj të shumtë, teksa dy herë ka çuar skuadrën edhe në finalet e Ligës së Kampionëve.

sfidanti.al