Dita perfekte për aventurierët…

Java e 21 konsumoi tre ndeshjet e para ku dy skuadrat e kryeqytetit u ndalën por lajmi në këtë mes është Tirana. 4 gola të pësuar dhe një karton i kuq por më shumë se rezultati, pështjellim krijon mënyra se si rrodhën ngjarjet. Sigurisht që nëse ky rezultat do të ishte regjistruar në Premier League apo në La Liga siç ndodhi me Barcelona-Villarreal, askush nuk do të dyshonte për shifrat finale por në Shqipëri jemi mësuar t’i “fryjmë kosit” sepse jemi “djegur nga qulli”.

Suksesi 4-3 i Skënderbeut nuk i heq asnjë meritë skuadrës korçare por me siguri kryqëzon të besuarit e Ahmatajt të cilët prej javësh janë futur në një vorbull rezultatesh pa kuptim që vetëm sa rëndojnë pozitat e Tiranës dhe i heqin më shumë kredenciale Superiores ku çdo javë regjistrohen goleada apo rokada të papritura. Askush nuk mund të ngrejë dorën për të thënë se kjo apo ajo ndeshje ka hije dyshimi por nëse bëjmë një krahasim me sezonet e kaluara kur edhe formula nuk lejonte luhatje të tilla, rastet e dyshimta po shtohen javë pas jave dhe ky kampionat duket se u përshtatet atyre më guximtarëve që me një fitore të Skënderbeut kanë goditur në shenjë…

Nga Pirro Bardhyli