Largimi i Jurgen Klopp nga Liverpool në fund të sezonit u komentua gjatë edhe nga Pep Guardiola i cili pa hezituar për asnjë çast, e cilësoi gjermanin si rivalin e tij më të madh si trajner edhe pse në karrierë është përballur në duele epike me emra si Jose Mourinho, Alex Ferguson apo Carlo Ancelotti. Ka një arsye pse Pep e cilëson Klopp si rivalin e tij më të rrezikshëm e më të fortë. Të dy janë vendosur përballë njëri-tjetrit që në kohën kur drejtonin Bayern-in dhe Borussia-n ndërsa në total numërojnë 29 sfida ku gjermani ka fituar 12, një më shumë se katalanasi i cili ka të drejtë kur e cilëson Klopp si një menaxher mbi të gjitha simpatik e karizmatik por edhe unikal për mënyrën se si e shpalos idenë e tij për futbollin e kjo reflektohet te skuadrat që drejton. Jurgen është trajneri i vetëm që ka arritur të sigurojë më shumë fitore ndaj Pep edhe pse ky i fundit numëron një numër më të madh trofesh krahasuar me bosin e The Reds. Kampionatin në Angli e kanë diskutuar bashkë në vitet 2019 dhe 2022 ku fillimisht triumfoi Liverpool e më pas Man. City, ndërsa përballjet në “Anfield Road” mund të cilësohen si sfidat më epike të viteve të fundit në Premier League.
sfidanti.al