Disiplina si taksidare e FSHF-së

Javë pas jave, FSHF nuk e humbet rastin për të shtruar mirë dorën mbi kurrizin e sakatuar të financave të futbollit dhe klubeve shqiptare në kufijtë e mbijetesës. Që pak klube justifikojnë ekzistëncën bazuar mbi kriteret “fair play” financiare, kjo dihet por ajo që nuk dihet është se si këto klube arrijnë të paguajnë edhe gjoba të majme në llogari të FSHF-së që për t’i disiplinuar ata dhe tifozët përdor kamzhikun e disiplinës.

Këtë javë është radha e Tiranës e Vllaznisë dhe të të abonuarve të Flamurtarit, ndërsa furtunës nuk i ka shpëtuar as Korabi që për më tepër është dënuar edhe me dy ndeshje pa tifozë për t’i dhënë një shuplakë shtesë skuadrës dibrane që edhe ata pak njerëz që arrin t’i bindë për të parë një ndeshje në stadium, për dy fundjava duhet t’i largojë po me dhunë. Kjo është drejtësia që funksionon prej vitesh. Mjafton “dajaku” financiar për t’i bërë “rebelët” të dëgjojnë. Një formulë që po dështon sezon pas sezoni pasi dhuna po shtohet ndërsa stadiumet po boshatisen.

Nga Pirro Bardhyli