Kursi për trajnerët e licencës UEFA B, i organizuar nga Departamenti i Edukimit në FSHF në zonën e Tiranës, mbylli me sukses edicionin e tij të radhës me diplomimin e 32 pjesëmarrësve që ishin pjesë e këtij kursi, ndër të cilët dy vajza. Së fundi u organizua në “Shtëpinë e Futbollit” edhe ceremonia e diplomimit të trajnerëve të rinj , ku të pranishëm ishin anëtari i KE-së së FSHF-së, Abdyl Kuriu dhe përfaqësues të Departamentit të Edukimit në FSHF, të cilët kanë organizuar programin dhe janë kujdesur edhe për mbarëvajtjen e këtij kursi për formimin sa më cilësor të trajnerëve të rinj. Kursi për trajnerët e licencës UEFA B zgjati rreth 3 muaj, i ndarë në disa periudha. Të gjitha leksionet janë zhvilluar në Shkollën e Edukimit në Kamëz nën kujdesin e specialistëve të Departamentit të Edukimit në FSHF. Ish-futbollistë të ekipit kombëtar si Taulant Xhaka, Ahmed Januzi apo edhe futbollistë që kanë qenë pjesë e skuadrave shqiptare si Arbër Çyrbja, Ardit Peposhi, Arsid Kruja, Jasmin Rraboshta, Alked Çelhaka e të tjerë janë pajisur me këtë licencë.
sfidanti.al

