Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, nuk i ka kursyer lëvdatat për Edon Zhegrovën pas barazimit 0-0 ndaj Torinos, ku ‘ylli’ kosovar u aktivizua si zëvendësues dhe dha një paraqitje mjaft pozitive. Edhe pse nuk arriti të shënonte, Zhegrova u vlerësua për energjinë dhe kreativitetin e sjellë në fazën sulmuese, me Spalletti-n që e konsideron një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm. “Nuk do të kalojë shumë kohë derisa ta shohim në top-formë,” u shpreh trajneri italian pas ndeshjes. “Është një djalë inteligjent, e kupton lojën dhe ka atë guximin e çmendur për të provuar gjëra që ndonjëherë as vetë nuk e di si i realizon.”
Spalletti shtoi se Zhegrova mund të jetë një armë shumë e vlefshme për Juventusin në fazën e dytë të sezonit. “Së bashku me Yildiz, kemi disa ‘municione’ të forta në krahë. Kemi mundësi të luajmë me dy sulmues ose të kalojmë në një 4-3-3. Openda mund të përshtatet në të dyja rolet, ndaj opsionet janë të shumta.” Ndërkohë, Zhegrova pritet të udhëtojë drejt Kosovës, pasi është përfshirë në listën e trajnerit Franco Foda për dy ndeshjet e nëntorit, ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës, dy duele ku pritet të ketë rol kyç për përfaqësuesen “Dardanët”.
Sfidanti.al

