Dinamo, presidenca shpërblen futbollistët me premio

Dinamo po kalon një nga momentet më të lavdishme si klub sa i përket përfaqësimit në arenën europiane. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja arriti një sukses historik javën e shkuar, ku arritën të eliminojnë Hajdukun e Splitit në turin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.Kurrë nuk kishte ndodhur më parë që dinamovitët shkonin deri në fazën “play off” të një kompeticioni europian, ku tani do të jenë përballë polakëve të Jagiellonias. Falë kalimit në “play off”, edhe nëse eliminohet, Dinamo do të ketë të siguruar minimalisht 1 milion e 275 mijë euro, falë pjesëmarrjes në tre ture të kompeticionit, meqë nuk luajti në turin e parë të Ligës së Konferencës dhe e nisi direkt në të dytin.

Një shifër jashtëzakonisht e lartë për blutë të cilët padyshim do të synojnë edhe më shumë duke tentuar kalimin në grupe. Por edhe nëse nuk ia dalin, një shifër e tillë padyshim do të ndihmojë klubin që të investojë për të siguruar lojtarë të tjerë cilësorë që të zëvendësojnë emrat që u larguan gjatë verës si Mandela e Zabërgja. Ky sukses i dinamovitëve nuk ka kalur edhe pa shpërblim, pasi zakonisht presidenti Ardian Bardhi nuk kursehet për të motivuar lojtarët.

Për dy sukseset e fundit në Ligën e Konferencës, skuadra dinamovite ka përfituar rreth 150 mijë euro premio të akorduara nga presidenca e klubit. 50 mijë euro u vlerësua kualifikimi në turin e dytë kulaifikues ndaj Atletik d’Eskaldes, ndërsa suksesi ndaj Hajdukut të Splitit ka pasur më shumë peshë dhe për këtë arsye edhe shpërblimi për ekipin ka qenë rreth 100 mijë euro.

sfidanti.al