Derbi si oksigjen për Superioren

Derbi i javës së 15 në Kategorinë Sueriore pritet t’i japë oksigjen një kampionati të asfiksuar nga ndeshjet e ngjeshura, situata disi kaotike me kalendarin, problemet me financat për shumë klube por edhe problemet me mungesën e tifozëve në shkallët e stadiumit. Gjithmonë në rënie, mosprania e njerëzve në komplekset ku luhen ndeshjet është bërë një fenomen normal tashmë dhe nëse ka një ndeshje që i shpëton fytyrën gjithë kampionatit është derbi i kryeqytetit. Në këtë aspekt, supersfida Tirana-Partizani e shpëton Superioren në një moment kur skuadrat kanë nevojë për t’u rritur sa më shumë në imazh e derbi është kura ideale për momentin.

Të dielën, “Arena Kombëtare” do të mbushet sërish vetëm një muaj pas derbit të parë dhe këtë herë është Tirana që shpreson të arkëtojë sa më shumë nga tifozët e pranishëm në stadium. Java e 15-të do të tregojë forcën reale të të kuqve, të cilët do të përballen me Tiranën, rivalen e përjetshme. Derbi është planifikuar për t’u luajtur të dielën në orën 19:00 në Air Albania. Pikërisht në derbi, Arbër Abilaliaj mori fitoren e parë në stolin e Partizanit dhe tani do të kërkojë të përsërisë atë sukses si trajner i konfirmuar. Më shumë sesa për renditjen dhe objektivat, kjo sfidë vlen për tifozët dhe në kampin e kuq e dinë shumë mirë këtë. Ndryshe qëndron situata për Tiranën, e cila nuk arrin të krijojë një ecuri radhazi rezultatesh pozitive dhe në derbi nuk fiton prej 2 tetorit të vitit të kaluar.

sfidanti.al