Dashurohet dhe urrehet, por Murinjo mbetet gjithnjë Murinjo!

Zhoze Murinjo mund të jetë një nga njerëzit më të dashur nga lojtarët e tij apo tifozët e skuadrës së tij (po ashtu si nga ata të Interit apo deri diku edhe të Çelsit he Portos), veçse portugezi ka disa cilësi për të cilat respektohet nga të gjithë.

Trajneri i Mançester Junajtidit flet 6 gjuhë të huaja (frengjisht, anglisht, spanjisht, katalanisht, italisht, portugalisht). Kjo edhe për punë, edhe për pasion, ndërsa nuk ka pasur kurrë vështirësi për t’u përshtatur në një kampionat të ri, përsa i përket gjuhës.

Në 2010 u cilësua si një nga 10 njerëzit me më shumë ndikim në planet, pas tripletës me Interin (Champions, Seria A, Kupa e Italisë), ndërsa revista “Rolling Stouns” e cilësoi si yllin e vitit të rokut (rokstarin e vitit). Kjo për shkak të sjelljes së tij si “garip”, i vendosur dhe me batuta.

Në Angli, u arrestua një herë nga policia sepse nuk deshi t’i dorëzonte qenin e tij “terrier” me emrin Gulit, ndërsa dyshohej se Murinjo nuk i kishte bërë qenit vaksinat e duhura. Në fund, doli që qeni ishte vaksinuar për bukuri.

Zhoze na shfaqet si njeri tradicional, që lexon biblën para ndeshjeve, që është martuar dhe nuk është ndarë nga gruaja e tij, me të cilën ka dy fëmijë, ndërsa politikisht anon nga Partia Socialdemokrate e Portugalisë, pra disi majtas, ndonëse është një milioner.

Sfidanti.al