Danilo rrëfen betejën me depresionin

“Nuk kam qenë gjithmonë në maksimumin tim. Gjatë sezonit tim të parë te Real Madrid u ndjeva në depresion. U ndjeva i humbur, i padobishëm”. Errësira para rilindjes, Danilo flet për veten e tij në një letër të gjatë për “The Players Tribune”, për të kaluarën, mundimet më të thella dhe forcën e rilindjes, që e bëri atë të jetë futbollisti dhe njeriu që njohim sot. Gjithçka nisi në sezonin 2015/16, i pari në Spanjë me fanellën e Realit, atë “camiseta blanca” që të gjithë ëndërrojnë ta veshin që fëmijë. Aty shfaqen shenjat e para të një të keqeje që po e përpinte nga brenda, beteja dhe më pas pasojat pas eliminimit të Brazilit në Botërorin e fundit. “Në fushë nuk mund të bëja një pasim pesë metra. Jashtë fushës më dukej sikur nuk mund të lëvizja. Pasioni im për futbollin ishte zhdukur dhe nuk shihja një rrugëdalje. Doja të kthehesha në shtëpi në Brazil, dhe të mos luaja më futboll, nuk e pashë më veten si Baianinho, djali i Baianos, ai që kishte ‘nënshkruar një kontratë me vlerë 31 milionë euro’, siç raportuan gazetat.

Kur luajtëm kundër Alaves, disa muaj pas fillimit të sezonit, Theo Hernandez më vodhi topin dhe krosi për Deyverson që shënoi. Ne  fituam 4-1, por ishte një gabim që te Real Madridi nuk mund ta bëje – tha ai – nuk do ta harroj kurrë atë mbrëmje kur u ktheva në shtëpi. Kam shkruar në ditarin tim: ‘Mendoj se ka ardhur koha të braktis futbollin’, isha 24 vjeç”. Kapiteni i Juventusit shpjegoi se nuk kishte guximin ta ndante atë shqetësim dhe ato mendime me këdo. Më pas drita në fund të tunelit falë ndihmës së terapisë dhe disa psikologëve: “Mësimi më i rëndësishëm që më mësoi ishte ta shikoja lojën me sytë e një fëmije. Më duhej të kujtoja rrënjët e mia dhe gëzimin për të luajtur futboll, jo për famë apo para, por për argëtim, karriera ime më shpëtoi në atë moment, kam disa njerëz për të falënderuar: terapistët dhe fëmijët e mi”, tha ai.

Por shpesh beteja nuk fitohet edhe kur gjithçka duket se po shkon mirë, kur duket e thjeshtë t’i rikthehesh normalitetit të jetës së përditshme. Depresioni i trokiti sërish në derën e tij gjatë pandemisë, me eliminimin e Brazilit nga Kupa e Botës në Katar në ndeshjen me  Kroacinë. Lojtari i Juventusit foli për mënyrën sesi arriti të mos zhytej në errësirë, me një vetëdije tjetër: “Mund të kisha rënë sërish në depresion. Isha 30 vjeç, mund të kisha thënë: “Ok, unë kam pasur një karrierë të mirë, tashmë kam arritur kulmin tim, tani mund të pushoj, por kam filluar të sfidoj veten për të qenë një lider më i mirë, dhe atëherë gjithçka u ndez për mua, shiriti i kapitenit te Juventus ishte një nder i madh”. Tani mendja është te Kupa e Amerikës, ndeshja e parë e Brazilit do të jetë javën e ardhshme kundër Kosta Rikës. “Si kapiten e di saktësisht se çfarë do të thotë Seleção për vendin tonë. Sepse ky është specialiteti i popullit brazilian, apo jo, është ajo që është në ADN-në tonë, të jemi të guximshëm, të mos heqim dorë kurrë, është shumë e thjeshtë: Le të bashkojmë forcat në këtë luftë”.

sfidanti.al