Llogaritari napolitan ndoshta ka arritur në vendin e duhur, në kohën e duhur. Mauricio Sarri, më në fund, mund të ketë shansin që të krijojë një epokë fituese në karrierën e tij. Italiani e ka fituar me kohë çmimin e lojës së bukur, dhe tifozët e Çelsit e kanë një besim të fshehur thellë në mendje, se skuadra e tyre e zemrës do t’i ketë të dyja, edhe spektaklin, edhe rezultatin.
Suksesi 3-0 në fushën e Hadërsfildit, në ndeshjen e parë të Premier Ligës, ishte diçka mes të dyjave, edhe pse ishte thjesht një fitore. Specialistët që vëzhguan lojën e Bluve të Londrës vunë re sesi për minuta të tëra, skuadra e Sarrit vuante për të treguar një fizionomi të qartë, por në momente të caktuara shfaqte ato shkëndija gjeniale, si Napoli i viteve të kaluara me Sarrin.
“Nëse shikon rezultatin, duket fitore e lehtë, por nuk qe ashtu, – u shpreh trajneri blu, – pjesa e parë ishte e vështirë, dhe ne ishim në vështirësi përballë një kundërshtari shumë të fortë fizikisht. Ne nuk shquhemi për skuadër fizike, dhe gjëja më e mirë ishte që ditëm të vuanim në ata 15 minuta”. N’Golo Kante, kampioni i botës me Francën, shënoi golin e parë, por më pas Hadërsfildi goditi shtyllën. Pastaj, Zhorzhinjo shënoi të dytin me penallti, dhe Pedro fiksoi shifrat 3-0 pas aksionit individual të Eden Hazarit, që e nisi ndeshjen nga stoli.
Sfidanti.al