Ceferin: Nuk jam i interesuar për presidencën e FIFA-s

Aleksander Ceferin ka konfirmuar se nuk do të kandidojë për presidencën e FIFA-s në zgjedhjet e ardhshme, të planifikuara për marsin e vitit 2027.

Presidenti i UEFA-s e bëri të ditur vendimin në një intervistë për podcastin britanik “The Rest is Politics”, duke theksuar se nuk ka interes për të marrë drejtimin e institucionit që qeveris futbollin botëror. “Nuk jam i interesuar për presidencën e FIFA-s. Më pëlqen UEFA dhe puna që bëj aty”, deklaroi Ceferin.

58-vjeçari slloven është një nga kritikët më të fortë të presidentit aktual të FIFA-s, Gianni Infantino, veçanërisht pas krizës së krijuar rreth projektit të diskutueshëm për hapjen e institucionit ndaj investitorëve privatë.

Ceferin, mandati i të cilit në krye të UEFA-s përfundon në vitin 2027, theksoi se pozicioni i tij si kundërshtar i Infantinos është më i besueshëm pikërisht sepse nuk kërkon të zërë postin e tij.

“Besueshmëria ime si kundërshtar i Infantinos është shumë më e madhe nëse nuk jam i interesuar për atë pozicion”, u shpreh ai.

UEFA ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj drejtimit të FIFA-s. Nën presidencën e Ceferinit, organizata evropiane ka kërcënuar me bojkotimin e kompeticioneve të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës, qëndrim që është përsëritur edhe pas tërheqjes së projektit të Infantinos.

Ceferin kërkon largimin e presidentit të FIFA-s dhe ka lënë të hapur mundësinë që UEFA të mbështesë një kandidat kundër tij në zgjedhjet e ardhshme.

“Mundësia e parë është që ai të kuptojë se nuk ka mbështetjen e nevojshme për t’u rizgjedhur. Opsioni tjetër është që të kandidojë, por në këtë rast mendoj se do të kemi një kandidat kundër tij. Nuk e di ende se kush do të jetë”, deklaroi Ceferin.

Presidenti i UEFA-s shtoi se nuk ka folur me Infantinon që prej fillimit të krizës. Ceferin dhe Infantino kanë pasur më herët një lidhje të drejtpërdrejtë institucionale, pasi italiani me origjinë zvicerane ka mbajtur më parë postin e sekretarit të përgjithshëm të UEFA-s.