Bylis ndal kryesuesit

Ka qenë e mbushur me emocione dhe gola sfida Bylis-Egnatia, që çeli javën e 21-të të kampionatit Abissnet Superiore. Mbyllet në barazim 2-2 sfida në “Adush Muça”, me vendasit që ndalin kryesuesit e kampionatit dhe marrin një pikë të çmuar në luftën për mbijetesë.

Miqtë nga Rrogozhina mbyllin pjesën e parë në avantazh falë një goli të shënuar nga Jahaja në limitet e kohës së rregullt. Ballshiotët reagojnë në pjesën e dytë, fillimisht barazojnë shifrat me Përgjonin dhe më pas përmbysin gjithçka me Mustafa, që shënon nga pika e bardhë e penalltisë (një 11-metërsh i akorduar pas verifikimit në VAR, pasi gjyqtari Prenga nuk e dha menjëherë).

Egnatia mundohet të reagojë dhe gjen golin e barazimit me Adjesa. Pavarësisht përpjekjeve rezultati i sfidës nuk ndryshon në minutat e mbetura. Mbyllet në barazim 2-2 sfida në “Adush Muça”.

Bylisi merr një pikë dhe ngjitet në kuotën e 19 pikëve në renditje, ndërsa Egnatia çon në 3 numrin e ndeshjeve pa fitore në kampionat. Gjithsesi rrogozhinasit vazhdojnë të qëndrojnë të vetëm në krye të renditjes me 39 pikë, 3 më shumë se Vllaznia, që luan pas pak me Partizanin.