Armando Broja mund të rrezikojë ndeshjet e ardhshme të Shqipërisë në nisje të eliminatoreve të Kampionatit Botëror. Kënaqësia që 23-vjeçari u kthye shpejt në fushë që nga lëndimi I pësuar në Premier Ligë në ndeshjen në fushën e Bornmuthit, zgjati pak, po aq pak sa zgjati koha e tij në terren. Në duelin e Kupës së Anglisë në “Gudison Park” ndaj Peterborout, Broja u aktivizua në 68’, por mori një goditje të rëndë në fund, një ndërhyrje e ashpër e cila e detyroi të dilte me barrelë në 90’. U deshën rreth 7 minuta që shqiptari të mund të dilte nga terreni dhe ndeshja të vazhdonte.
Tek Evertoni ende nuk kanë siguri, por ndoshta flitet për një periudhë riaftësimi nga 6 deri në 12 javë. Trajneri kujdestar, Leiton Bejns, deklaroi pas ndeshjes se fjala ishte për një dëmtim të pjesës së poshtme të këmbës dhe se dhimbja ishte e madhe, ndërsa mësohet se është problem në kavilje. Kombinuar me lëndimet e mërparshme që Broja ka pasur, kjo ndalesë mund të jetë shumë e paparashikueshme. Mjaft të themi se problemi është në kaviljen e këmbës së djathtë, në të njëjtën këmbë ku pësoi dëmtimin e rëndë në ligamentin kryq të gjurit, kur mbeti plot 274 ditë pa luajtur, ndërsa ishte me Çelsin. Padyshim që sulmuesi kuqezi rrezikon dy ndeshjet e para të eliminatoreve të Kupës së Botës në 21 mars në “Uembli” të Londrës kundër Anglisë dhe në 24 mars në Arenën Kombëtare ndaj Andorrës.
sfidanti.al