Nuk i bihet murit me kokë dhe nuk duhet të ketë iluzione. Armando Broja e ka dashur me shpirt fanelën e Çelsit, ekipit të jetës së tij të deritanishme, por momenti është për ta hequr e për të veshur një tjetër. Sulmuesi i kombëtares shqiptare e ka rinisur stërvitjen në kompleksin e Bluve të Londrës në Kobham me një mendim të kristalizuar në kokë. E mira e karrierës së tij e do që ta provojë fatin diku tjetër, dhe specifikisht tek Uest Hemi. Sipas të gjitha gjasave, 20-vjeçari do të shtegtojë sërish larg “Stemford Brixhit”, ashtu siç bëri në Holandë me Viteshen dhe vjet tek Sauthemptoni në Premier Ligë.
Në rrjetet sociale ka komente se trajneri Tomas Tuhel do ta marrë shqiptarin në fazën përgatitore në SHBA, ku do t’i jepet mundësia të punojë me yjet e tjerë, por mund të jetë i gatshëm të lejojë largimin e tij, me kusht që Çelsi të ketë përfunduar përforcimet. Edhe pas dy sezoneve tepër të suksesshëm, Broja nuk mund të thuhet se vlerësohet si lojtar i domosdoshëm për Çelsin, sepse bëhet fjalë për një ekip që vjet ishte kampion i Europës dhe mund të marrë ajkën e futbollit europian. Nga blutë e Londrës u largua Romelu Lukaku dhe pritet të ikë Timo Verner, por do të vijnë të tillë si Rafinja, Stërling apo Dembele. Gjithsesi, Broja nuk do ta harrojë ëndrrën për të qenë lojtar i Çelsit në të ardhmen, thjesht do të përpiqet të shkëlqejë sërish në Premier Ligë me Uest Hemin, Evertonin apo Njukasëllin, ashtu siç bëri me Sauthemptonin ku shënoi 6 gola edhe pse ishte 20 vjeç.
Sfidanti.al