Brazili, rekord blerjesh në merkaton dimërore

Ka vite që në futbollin e Amerikës së Jugut është një kampionat që po i afrohet disi Evropës me pagat. Në pesë vitet e fundit, klubet braziliane kanë monopolizuar trofetë e mëdhenj në Amerikën e Jugut, siç dëshmohet nga pesë Copa Libertadores radhazi. Në Brazil kanë vendosur si synim të konkurrojnë me ligat kryesore evropiane në tërheqjen e futbollistëve në ekipet e tyre. Luiz Henrique dhe Nico de la Cruz kanë qenë nënshkrimet më të shtrenjta, përkatësisht nga 16 dhe 14.5 milionë euro, sipas Transfermarkt. Lojtari i Betisit u largua nga La Liga për t’u kthyer në vendin e tij, duke u bërë nënshkrimi më i shtrenjtë në historinë e ligës braziliane, pasi Botafogo pagoi për kartonin e tij 16 milionë euro.

Ndërsa uruguaiani mbërriti te Flamengo pas ciklit shtatëvjeçar te River Plate. Këto dy kontrata janë të krahasueshme me atë të çdo skuadre evropiane, gjë që tregon fuqinë e futbollit brazilian në Amerikën e Jugut. Flamengo është klubi që ka shpenzuar më shumë me tri nënshkrime që kapin shifrën e 30 milionë eurove. Më pas janë Botafogo dhe Corinthians me 24 milionë të investuara secila. Ndërsa kampioni i vitit 2023, Palmeiras, afroi pesë lojtarë, duke përfshirë Aníbal Moreno (Racing Club) dhe Bruno Rodrigues (Tombense). “Verdão” shpenzoi gjithsej 16.70 milionë euro. Skuadrat braziliane kanë investuar 196.44 milionë euro në transferta gjatë merkatos dimërore, një shifër që tejkalon investimin e bërë në katër nga pesë ligat kryesore evropiane. Vetëm Ligue 1, me 196.93 milionë, i kalon në këtë drejtim. Serie A (107.75 milionë euro), Premier League (132.41 milionë euro), LaLiga (94.25 milionë euro) dhe Bundesliga (100 milionë euro) janë prapa në këtë merkato dimërore. Major League Soccer (MLS) është ndër katër ligat që kanë shpenzuar më shumë për transferta me 120.86 milionë euro, më shumë se skuadrat gjermane, italiane dhe spanjolle.

 

sfidanti.al