Brajan Gruda te Shqipëria, e konfirmon Alban Bushi: Vishet 100% kuqezi

Brajan Gruda mund të jetë risia e madhe te Kombëtarja shqiptare. Trajneri Alban Bushi, ka zbuluar në një intervistë në Klan News, se sulmuesi ka premtuar se do të jetë pjesë e kuqezinjve, në rast se nuk merr ftesë nga Gjermania.

Futbollisti me origjinë shkodrane po pret një ftesë nga trajneri Julian Nagelsmann, por nëse ajo mungon, atëherë do të luajë për Shqipërinë.

Sipas Bushit, një lojtar si Gruda i bën shumë punë Shqipërisë.

“Brajan Gruda do të luajë te Shqipëria me 100% në qoftë se nuk është pjesë e kombëtares së Gjermanisë A. Në momentin që nuk është pjesë e saj, ai do të përfaqësojë Shqipërinë. Ky ka qenë bashkëbisedim, kontakt ose le të themi, ne kemi bërë takimet me familjen e tij.

Ne do të donim shumë që të ishte pjesë e Shqipërisë. Faktikisht është një lojtar me potencial shumë të madh dhe një lojtar që i mungon Shqipërisë, pra që futet gjithmonë nga brenda dhe futet me të majtën që nuk e kemi, dhe këta lojtarë si Gruda bëjnë diferencën në një ndeshje futbolli, fitojnë ndeshjen”, tha Bushi.

sfidanti.al