Kampion në fushë, karizmatik, i talentuar dhe pa frikë në zemër e sytë e tij që reflektojnë krenari. Quhet Zvonimir Boban dhe është lojtari që ndryshoi rregullat e lojës në Itali me Milanin, ndërsa në Kroacinë e tij në vitin 1990 me shkelmin e famshëm ndaj policit serb shkruajti historinë e një shteti që sapo kishte guxuar të ngrinte zërin ndaj represionit serb të reflektuar mbi Yllin e Kuq të Beogradit. “Zvone” nuk u tremb mes qindra kaskave që mund ta kishin masakruar në atë moment në fushë teksa reagoi ndaj dhunës së policëve serbë dhe si për ironi, 34 vite më vonë, sfidoi një njeri të verbuar nga uria për pushtet dhe “policët” e tij në tentativën për ta dhunuar statutin e UEFA-s që synon të instalojë të njëjtën autokraci si në kohën e Platini.
Si për ironi, francezi u largua i turpëruar e këtë leksion nuk e ka marrë Alexander Ceferin. Slloveni ka arritur me mjeshtëri të bindë edhe drejtues të superfuqive të futbollit si Italia, Gjermania, Franca apo Spanja për t’i hapur rrugën e me një mandat të tretë edhe pse ishte vetë Ceferin që erdhi në pushtet me premtimin që mandatet do të kufizoheshin në dy dhe jo më shumë. Në mesin e këtij “represioni” Zvone nuk e tërhoqi këmbën pas duke u larguar nga nivelet drejtuese të UEFA-s e mjeshtërinë e dhe klasin e ka shoqëruar gjatë githë karrierës së tij. Boban nuk u bë pjesë e estradës ku të ftuar e ndoshta aktorë do të jenë edhe “shqiptarët” tanë.
Nga Pirro Bardhyli