Java e katërt në Kategorinë e Parë prodhoi surpriza në rezultate. Përveç fitores së Skënderbeut ndaj Pogradecit, një tjetër pretendent ka marrë tre pikët.
Laçi triumfoi 2-0 ndaj Korabit në shtëpi, në një ndeshje të dominuar nga fillimi deri në fund. Kurbinasit e nisën ndeshjen vrullshëm, duke kërkuar me ngulm avantazhin. Dominimi i vendasve u shpërblye në minutën e 39-të.
Ishte i përhershmi Olsi Myrta, i cili zhbllokoi takimin, duke bërë që të shpërthejë festa e Laçit. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa e dyta nisi sërish me vendasit në sulm. Bardhezinjtë tentuan disa herë për të gjetur golin e dytë, të cilin e gjetën vetëm në fund.
Afrimi i merkatos, Henrik Nerguti vulosi takimin në minutën e 90-të, me golin e dytë, që siguroi tre pikët e Laçit. Me këtë fitore, skuadra e Laçit mban vendin e dytë me 9 pikë, ndërsa Korabi renditet i treti me 9 pikë të grumbulluara.
Në takimin tjetër, Besa u mposht 2-1 me përmbysje nga Burreli. Kavajasit vazhdojnë me momentin e vështirë në kampionat, ku pas katër javëve nuk njohin ende fitore.
Pas pjesës së parë të mbyllur pa gola, Danaj i dha avantazhin Besës në minutën e 57-të. Megjithatë Burreli ia doli të përmbysë gjithçka, falë golave të shënuar nga Xhebrahimi dhe Maça.
Me këtë fitore, Burreli ngjitet në vendin e tretë me 7 pikë, ndërsa Besa renditet në vendin e 10-të me vetëm 2 pikë.
sfidanti.al