Karim Benzema dhe Al Hilal kanë ndërprerë bashkëpunimin me efekt të menjëhershëm, raporton Fabrizio Romano, teksa kontrata e sulmuesit francez është zgjidhur dhe 38-vjeçari tashmë është lojtar i lirë. Benzema u largua nga Real Madridi në vitin 2023 për t’iu bashkuar Al Ittihadit, përpara se në janar të këtij viti të kalonte te Al Hilal, por aventura e tij me klubin e ri saudit zgjati vetëm gjashtë muaj. Sipas Romanos, Benzema pritet të njoftojë së shpejti vendimin për vazhdimin e karrierës, ndërsa dy janë opsionet kryesore në tavolinë: pensionimi ose transferimi te një tjetër klub në Arabinë Saudite.
Një rikthim në futbollin evropian nuk konsiderohet aktualisht si mundësi, megjithatë “AS” raporton se fituesi i Topit të Artë 2022 nuk ka ndërmend të varë këpucët. Francezi thuhet se ka marrë tashmë disa oferta nga klubet saudite, ndërsa në mesin e destinacioneve të mundshme përmenden edhe ish-klubi i tij, Al Ittihad, dhe Al Shabab. Gjatë aventurës te Al Hilal, Benzema zhvilloi 16 ndeshje, duke shënuar 10 gola dhe dhuruar 5 asistime. Largimi i tij vjen në një moment ndryshimesh të mëdha në repartin ofensiv të Al Hilal, pasi klubi saudit ka afruar Ollie Watkins dhe Gabriel Martinellin, duke i hapur rrugë një riformatimi të sulmit. Tashmë mbetet për t’u parë nëse Benzema do të zgjedhë një tjetër aventurë në Arabinë Saudite apo do t’i japë fund karrierës.

