Një rrugë në Turqi do të emërtohet “Mohamed Salah”

Transferimi i Mohamed Salah te Trabzonspor pritet të lërë gjurmë jo vetëm në futboll, por edhe në qytetin turk, pasi Bashkia e Yomras në Trabzon po përgatit një propozim për t’i ndryshuar emrin një prej rrugëve në zonën ku pritet të banojë ylli egjiptian. Bëhet fjalë për “Selfie Street”, rruga ku ndodhet banesa e ardhshme e Salahut, e cila sipas raportimeve të mediave turke mund të marrë emrin “Mohamed Salah Street”, në nder të sulmuesit të njohur. Salah pritet të vendoset në zonën Kashüstü, në distriktin Yomra, ndërsa përgatitjet për banesën e tij kanë nisur përpara transferimit dhe zhvendosjes në Trabzon.

Kryebashkiaku i Yomras, Mustafa Bıyık, e ka cilësuar ardhjen e një futbollisti me përmasat ndërkombëtare të Salahut si një arsye krenarie për komunitetin, duke theksuar se prania e egjiptianit mund të ndikojë pozitivisht edhe në promovimin e zonës dhe t’i japë asaj një vlerë më të madhe turistike dhe marketingu. Për këtë arsye, bashkia dëshiron që ardhja e Salahut të mbetet pjesë e historisë së Yomras, ndërsa propozimi për ndryshimin e emrit të rrugës pritet të paraqitet këtë javë përpara këshillit bashkiak, i cili do të marrë vendimin përfundimtar. Nëse miratohet, “Selfie Street” do të shndërrohet në “Mohamed Salah Street”.