Flasim për futboll në nivel kontinental, pra përveç stërvitjes, përgatitjes së gjithanshme dhe shëndetit të lojtarëve, ka rëndësi të madhe edhe rruga që bëhet për të shkuar nga ndeshja në ndeshje. Kjo sidomos kur flitet për këtë Kampionat Europian që nuk do të luhet në një vend të vetëm, apo në dy shtete fqinjë, por i shpërndarë në të gjithë hapësirën europiane. Udhëtimet ajrore të ekipeve janë problem më vete dhe fati më i keq në këtë aspekt i ka qëlluar tre kombëtareve, Belgjikës, Polonisë dhe Zvicrës.
Të treja bashkë, ato do të kenë fluturime me gjatësi totale prej 29 000 kilometrash. Zvicra është më fatkeqja pasi lojtarët e saj do të udhëtojnë diçka më shumë se 10 000 km, pastaj vjen Polonia me 9460 km, dhe Belgjika me 9160 km. Krejt ndryshe për “peshat e rënda” si Italia, Spanja, Gjermania dhe Anglia, përfshi edhe Holandën që do të kenë shumë ndeshje në shtëpi. Itali, p.sh., do t’i luajë të tria ndeshjet në stadiumin “Olimpiko” të Romës, po ashtu në shtëpi Danimarka, Holanda, Anglia, Spanja dhe Gjermania.
Sfidanti.al