Befason Kosova, kërkon të ikë fshehurazi nga “Loro Boriçi”

Federata e Futbollit të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duket se ruajnë marrdhënie vllazërore vetëm në aparencë, dashuria midis vëllezërve është thjeshtë e gënjeshtër. Fillimisht nisi një luftë e ashpër, asnjëherë e sinqertë, për të gjetur futbollistë të pakënaqur për përfaqësueset, ndërsa tani, as Shkodrën nuk e konsiderojnë më si një shtëpi të rehatshme. Mediat gjermane kanë bërë të ditur, se drejtuesit e FFK-së jo vetëm që po ideojnë zhvillimin e ndeshjeve larg Shqipërisë, por edhe kanë zhvilluar bisedime konkrete në Këln, ku pengesë për zhvillimin e takimeve të tilla në këtë qytet u është bërë policia gjermane dhe Federata Gjermane e Futbollit.

Sipas “Kölner Stadt-Anzeiger”, më 28 mars, Kosova do të testojë veten në një miqësore me Letoninë. Federata synonte ta luante në Këln, ashtu si edhe ndeshjen kualifikuese të Botërorit 2018, në qershor kundër Turqisë. “Federata e Futbollit të Kosovës na ka kontaktuar”, konfirmoi drejtori sportiv Luc Vingerat. Megjithatë, ai sqaroi se para se të vazhdonin negociatat, duheshin siguruar leje të tjera. “Sipas mendimit tonë, dy ndeshjet nuk duhet të zhvillohen në Këln”, u shpreh Jan Shabaker, nga Drejtoria Qendrore e Policisë (LZPD) në Duisburg. “Sidomos ndeshja kundër Turqisë, pritet që të vërë përballë tifozeri emotive nga të dy palët”.

Ndërsa një zëdhënës i Federatës Gjermane deklaroi, se miqësoret e vendeve të treta në stadiumet gjermane do të lejohen, vetëm në vitet kur ka aktivitete madhore, por siç dihet, në vitin 2017 nuk ka të tillë. Tashmë, tentative e Federatës së Kosovës për t’u larguar nga Shqipëria, pritet të nxisë reagimin e tifozëve në të dy anët e kufirit.