Në momentin më të vështirë, pas humbjes kundër Leganes, Hansi Flick merr një tjetër lajm të rëndë. Lamin Yamal, talenti spanjoll, është i detyruar të rikthehet sërish në infermieri, por këtë herë për të qëndruar për një kohë më të gjatë. Flick dhe stafi i tij e paguajnë shtrenjtë në këtë mënyrë faktin që e mbajtën Yamal në lojë kundër Leganes edhe pse lojtari shfaqi qartë shqetësimin që kishte në kaviljen e këmbës së djathtë. Pavarësisht paralajmërimit, Flick rrezikoi me shpresën që me Yamal në fushë mund të përmbysnin rezultatin. Barcelona jo vetëm doli “duar bosh” nga ai takim, por tani humbasin edhe talentin më të çmuar për pjesën e mbetur të vitit. Në reagimin për mediat, klubi blaugrana bëri me dije se Yamal ka pësuar një dëmtim të shkallës së parë në ligamentet e kavijes së djathtë. Sipas mediave, ylli spanjoll pritet të qëndrojë jashtë fushës së lojës për të paktën 3-4 javë.
sfidanti.al