Në vitet 80-të ishte epoka e Realit të Madridit që përbënte boshtin e “furive të kuqe”, por gjatë periudhës kulmore ngjyrat poshtë fanelës kombëtare ishin “azulgrana”. Barcelona ka qenë shtylla e Spanjës së Visente Del Boskes që fitoi Kupën e Botës në Afrikën e Jugut në 2010 dhe Europianin në 2012 në Kiev. Në të dyja finalet kishte nga shtat lojtarë katalanas, Pike, Pujo, Buskets, Ksavi, Iniesta, Pedro dhe Vija në 2010, si dhe Pike, Zhordi Alba, Buskets, Ksavi, Iniesta, Fabregas dhe Pedro në 2012). Ajo kohë po kthehet dhe bashkë me afrimin e Ferran Torresit në “Kamp Nou” bëhen 8 lojtarë “blaugranë” tek iberikët. Trajneri Luis Enrike, që ka qenë më parë në stolin e Barcelonës, mund të thërrasë Zhordi Albën, Sergi Roberton, Erik Garsinë, Busketsin, Pedrin, Gavin, Ansu Fatiun dhe Ferran Torresin, pse jo edhe Nikon që është në gjurmët e tyre.
Sfidanti.al