Ibra e ka lënë pas dëmtimin në gju, gati të udhëheqë Milanin

Në Suedi nuk pati sukses pasi në anketat e fundvitit më i miri lojtar i vendit doli Forsberg dhe jo ai. Gjithsesi, Zllatan Ibrahimoviçi ka fituar shumë vlerësime të tilla, ndërsa dëshiron të bëjë të harrohet dëmtimi në gju që e la jashtë ndeshjes në fushën e Empolit. Suedezi është bashkuar me Milanin në pritje të ndeshjeve të radhës, duke kaluar pushimet e Krishtlindjeve, ndërsa synon të udhëheqë ekipin drejt një titulli kampion që duket shumë i vështirë, ndonëse jo i pamundur. Nëse do t’ia dilte, do të ishte kampioni më i vjetër me Milanin, në moshën 40 vjeç e ca, për të thyer rekordin e ish-portierit Enriko Albertozi që doli kampion 39 vjeç, ndërsa Kostakurta ia doli në 38. Po ashtu, synon të jetë në 10-en e shënuesve më të mirë të Milanit në Serinë A, duke pasur 91 gola, 11 më pak sesa Pierino Prati.

Sfidanti.al