Barça, a i ke 80 milionë eurot për të rimarrë Tiagon?!

Nja 16 vjet më parë, lojtarët e Mançester Junajtidit i kërkuan, thuajse me peticion, trajnerit të tyre Sër Aleks Ferguson që të merrte një adoleshent të quajtur Kristiano Ronaldo. Sot, janë futbollistët e Barcelonës që po i kërkojnë klubit të tyre të sjellë në “Kamp Nou” një futbollist, veçse jo adoleshent, dhe aspak të panjohur.

Mesi, Pike apo Buskets, sa për të përmendur disa, i kanë kërkuar trajnerit Valverde dhe presidentit Bartomeu që të kthejnë në ekip Tiago Alkantarën. Mesfushori u largua për tek Bajerni në 2013, pasi për të u paguan rreth 25 milionë euro, ndërsa ishte tepër i ri dhe kishte pak vend në një mesfushë ku luanin Ksavi, Iniesta apo Buskets. Barça do ta bënte me kënaqësi rikthimin e tij, por problem janë paratë.

Duhen 80 milionë euro, aq sa është klauzola e vendosur në kontratë nga Bajerni, që nuk është i gatshëm të negociojë. Katalanasit patën shpenzime stratosferike verën dhe janarin e kaluar, ndërsa pritet të kenë ende me ardhjen e Grizmanit, pra a do të mund të përballojnë edhe blerjen e Tiagos?

Sfidanti.al