Balotelli përfundon dënimin me shërbim prove

Ish-sulmuesi i njohur italian, Mario Balotelli, aktualisht pa klub, ka përmbyllur periudhën e dënimit me shërbim prove të caktuar nga Gjykata e Brescia-s, pas incidentit rrugor të ndodhur në nëntor të vitit 2023, kur ai kishte refuzuar t’i nënshtrohej testit të alkoolit. Vendimi për shuarjen përfundimtare të shkeljes pritet të shpallet më 1 dhjetor. Gjatë këtyre gjashtë muajve, Balotelli ka bashkëpunuar me organizatën “Bimbo chiama Bimbo”, një shoqatë me seli në Brescia, që ofron mbështetje për fëmijët në nevojë dhe familjet e tyre. Ish-sulmuesi ka përmbushur mbi 40 orë pune vullnetare, duke marrë pjesë në aktivitete arsimore e sociale. Në një prononcim për Giornale di Brescia, Balotelli e vlerësoi përvojën si thellësisht pozitive:

“Ka qenë një eksperiencë që më ka ndihmuar të njoh më mirë veten dhe të përmirësohem si person.” Pavarësisht se detyrimet ligjore tashmë kanë përfunduar, Super Mario ka vendosur të vazhdojë angazhimin e tij me shoqatën, duke kontribuar me kohën dhe energjinë e tij për fëmijët e komunitetit. Balotelli, i cili në karrierën e tij ka veshur fanellat e Interit, Manchester City, Milanit dhe Brescias, duket se po kalon një fazë reflektimi personal dhe dëshiron ta shfrytëzojë atë për t’u afruar më shumë me njerëzit dhe jetën e përditshme jashtë futbollit.

sfidanti.al