Në vigjilje të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme, e cila do të mbahet të dielën e ardhshme, më 19 tetor,Barcelona ka vendosur në dispozicion të anëtarëve pasqyrën financiare të sezonit 2024-2025 dhe buxhetin për sezonin 2025-2026. Klubi konfirmon rimëkëmbjen financiare dhe parashikon një rritje prej 50 milionë eurosh të të ardhurave me rikthimin në “Spotify Camp Nou”, i cili pritet të inagurohet javën e ardhshme në takimin mes Barçës dhe Girona.
Për vitin e dytë radhazi, klubi e mbylli me një fitim prej 2 milionë eurosh. “Ne konsoliduam rimëkëmbjen ekonomike dhe efikasitetin operativ të të gjitha fushave”, shpjegon Barcelona. Të ardhurat arritën në 994 milionë euro, pavarësisht se ekipi ende luante në stadiumin olimpik në “Montjuïc”. “Rezultatet e mira sportive dhe prania e tifozëve në stadiume kanë rritur të ardhurat me më shumë se 39 milionë euro. Ulja e borxhit dhe kontrollet e pagave e vendosin Barçën në një pozicion të fortë për t’u përballur me sezonin e ri, me një buxhet që tejkalon 1 miliard euro në të ardhura dhe që parashikon ruajtjen e rezultateve pozitive për të tretin vit radhazi”, thuhet në deklaratën e klubit.
sfidanti.al