Asamble, që ukrainasit të na mësonin ku të hedhim plehrat

Në Ukrainë, jo të gjithë e kanë aq seriozisht futbollin, të paktën jo tani. Ish-republika e Bashkimit Sovjetik, prej kohësh jo vetëm ka humbur territore si pasojë e një lufte civile, të sponsorizuar edhe nga Rusia, por edhe qindra jetë njerëzish. Së fundi, presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka kërkuar nga shtetet pjesëmarrëse ta bojkotojnë Botërorin e verës, si shenjë proteste ndaj vendit organizator, madje ka theksuar, se në këtë situatë, pjesa më e madhe e ukrainasve nuk kanë më interes për futbollin, në këto kohë të vështira që po kalon vendi. Megjithatë, nuk është e thënë që deklarata e Poroshenkos të merret shumë për bazë, pasi jeton ende edhe një zv/president nga vendi i tij, një nga ata të UEFA-s, i cili ditët e fundit ka treguar një interes aq të madh për futbollin, saqë u tregua aktiv edhe në intrigat më banale që di t’i prodhojë vetëm Ballkani. Në hartën e tanishme të Ukrainës nuk është më Sevastopoli, Krimea, është shkatërruar Odesa dhe Donjesku, duke përfshirë këtu edhe një kryevepër sportive, siç ishte stadium i Shaktarit, ndërsa Gregori Surkin erdhi dy herë në Tiranë për të bërë prepotentin dhe na mësoi se për cilin duhet të votonim, për të qenë në krye të futbollit. Ish-deputeti, i cili rastësisht ka lindur pikërisht në Odesa, na kërcënoi fillimisht se nuk do të kishim më shanse të shihnim futboll me sy, nëse votonim për politikën, madje për t’i dhënë më shumë forcë fjalës së tij, përdori edhe shprehje të ndryshme, diçka midis supermacisë dhe forklorizmit.

Pasi vuri re se pjesa më e madhe e delegatëve të Asamblesë së “Adriatikut” nuk e kishin shumë mendjen te fjalët e mençura që po shpërndante, ndoshta nga fakti që prej dhjetë vjetësh e kishin ndarë mendjen se si do të votonin, Surkis u tërhoqi vëmendjen të mos i hidhnin plehrat poshtë derës së komshinjëve. Madje për të sjellë në vëmendje se nuk ishte as më shumë e as më pak, por një ukrainas, tha një perlë që ka gjasa të kujtohet çdo 7 shkurt: “Unë nuk jam këtu për t’ju mësuar se si të jetoni”! Vërtetë, si mund të jetohet tani në Odesa? Aq delikatë vazhdojnë të jenë njerëzit atje, saqë edhe në kushtet e tanishme shqetësimin më të madh kanë plehërat e fqinjëve? Sidoqoftë, e keqja jonë e pariparueshme nuk është arroganca e Gregorit, ukrainasit që fliste rusisht, por ksenomania me të cilën kemi lindur. E pritëm në aeroport, e ndoqëm si të ishte shenjt, e transmetuam ekskluzivisht, madje edhe rusishten ja deformuam, gjithnjë në favor të Dukës dhe në fund, sa nuk e puthëm në buzë për broçkullat që nxorri. Thonë se është marrë më parë me disa allishverishe dhe nuk ka se si të ishte prerje tjetër, derisa qëndronte në një sallë, ku asamblistët votonin për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv me telefon në vesh, ose duke kopjuar emra që ja kishin servirur në copa letrash. Duka tha që këto ishin zgjedhje të papara, ku fitoi futbolli, sipas presidentit Poroshenko të Ukrainës, futbolli nuk ka më kuptim për vendin e tij gjysmë të djegur, ndërsa Surkin kërkoi të na ndërtonte një “landfield”, ngjitur me “Adriatikun” në plazh.