Artim Pollozhani zgjidhet trajner i Shkëndijës

Drejtuesit e Shkëndijës së Tetovës kanë zgjedhur stafin e ri teknik të skuadrës dhe detyrën e trajnerit ia kanë besuar Artim Pollozhanit. Ai ka luajtur më parë me këtë skuadër, ndërsa tani do ta drejtojë atë nga stoli, duke filluar nga ndeshjet e Conference League. Si trajner Pollozhani ka drejtuar Flamurtarin në Shqipëri dhe Ballkanin në Kosovë. Po ashtu, ai ka punuar në stafin e trajnerit Ilir Daja te Partizani dhe Ballkani.

Njoftimi i klubit tetovar

KF Shkëndija me kënaqësi komunikon kompletimin e stafit teknik që do të udhëheqë skuadrën në sezonin e ri garues, me synime të qarta për sukses në skenën vendore dhe paraqitje sa më dinjitoze në garat europiane. Besimi për të drejtuar ekipin i është dhënë ish-kapitenit tonë, Artim Pollozhani, i cili emërohet shef i stafit teknik të KF Shkëndija.

Një emër i njohur për familjen kuqezi, Pollozhani në disa periudha ka mbrojtur ngjyrat e Shkëndijës si futbollist, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Pas përfundimit të karrierës si lojtar, ai ka vazhduar angazhimin në futboll në role të ndryshme teknike dhe drejtuese, duke fituar përvojë si ndihmës trajner, trajner i parë dhe drejtor sportiv.

Bekim Osmani do të jetë ndihmës trajner i Pollozhanit, ndërsa stafi teknik përforcohet me asistentin dhe video-analistin, Kushtrim Voka. Saladin Mustafi vazhdon detyrën si trajner i portierëve, ndërsa Saimir Fetahi mbetet përgjegjës për përgatitjen kondicionale të ekipit.